A i meritojnë gradat aktuale profesorët e Universitetit të Prishtinës
- Prishtinë
- Education
- 03.11.2015
Problemet e UP-së kohëve të fundit janë diskutuar e përpunuar më shumë në media se sa brenda universitetit, me siguri për arsye se brenda janë shterrur mundësitë e komunikimit të mirëfilltë. Meqë emisioni juaj është marrë poashtu kohë të gjatë me këto tema, dhe i ka kushtuar disa emisione, si ekip i cili paraqitet më i guximshëm dhe më profesional, për hir të së vërtetës, dhe për hir se na kanë ofenduar të gjithë studentëve pa të drejtë, ju kisha sugjeruar të trajtoni edhe një here këtë temë, por me një këndvështrim tjetër. Sipas hulumtimeve që kam bërë rezulton se shumë profesor që aktualisht mbajnë gradën ‘Profesor i rregullt’ apo ‘Profesor i asocuar’ nuk i plotësojnë as përafërsisht kriteret e parapara me statut, e sidomos me formularin në bazë të cilit bëhen avancimet në UP aktualisht (rektori pat thënë se këto janë kritere minimale). Të tillë ka edhe në menaxhmentin e rektoratit, dhe në këtë grup mund të bëj pjesë edhe vet AA. Meqenëse gjatë gjithë kohës sa pati krizë në UP shënjestër e sulmeve ishin studentët, mendoj se do të na bënit nder ta intervistoni për këtë temë rektorin, dhe ta pyesni ‘Nëse profesorët mbajnë grada pa meritë dhe vazhdojnë të marrim paga konform këtyre gradave dhe të japim mësim në këtë cilësi, a është e drejtë të ashpërsohen kaq shumë kriteret për studentë?’ me ashpërsim të kritereve po mendoj reduktimin e afateve dhe të numrit të provimeve brenda afateve nga sa kanë qenë praktikë deri tani. Dhe mundësisht ta pyesni ‘Sipas mendimit tuaj sa ndikojnë në cilësinë e studimeve afatet e absolventëve? Pse i keni hequr ato? Dhe interesi i kujt është që të shtyhet edhe më shumë diplomimi i tyre?’ Ju falemnderit shumë dhe pres së shpejti një temë/intervistë të tillë në emisionet tuaja. p.s. po shkruaj këtu sepse nuk po funksionon opcioni te ‘Letrat e qytetarëve’